
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nis hartimin e akteve për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Drafti parashikon rregullat teknike për mundësimin e votës që nga periudha e regjistrimit e deri tek identifikimi i votuesve.
KQZ lë të hapur mundësinë për identifikimin biometrik edhe të votuesve në diasporë: “Komisioneri, nëpërmjet administratës së KQZ, vërteton vullnetin e votuesit nga jashtë për t’u regjistruar, nëpërmjet identifikimit biometrik të tij, ose nëpërmjet një mënyre tjetër me mjete elektronike, e cila sigurohet plotësisht mbi vërtetësinë e identitetit të votuesit që ka bërë kërkesën për regjistrimin”.
A2 CNN ka mësuar se pjesë e identifikimit përmes teknologjisë alternative është edhe ajo “Face ID”, e përdorur gjerësisht në telefonat celularë.
Krahas kësaj, në draft parashikohet se deklarimi i adresës së banimit jashtë vendit vijon të mbetet kusht për të përfituar këtë të drejtë: “KQZ ka të drejtën e verifikimit të përputhshmërisë së të dhënave të formularit përkatës elektronik të plotësuar nga votuesi nga jashtë me të dhënat e tij në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Nëse votuesi nga jashtë nuk ka deklaruar vendbanimin e tij ose të dhënat e formularit përkatës elektronik nuk përputhen me ato të RKGjC, atëherë kërkesa për regjistrim refuzohet. Votuesi të cilit i është refuzuar kërkesa për regjistrim, ka të drejtën të riaplikojë duke respektuar afatet e përcaktuara në këtë vendim”.
Periudha e regjistrimit të emigrantëve për të votuar jashtë vendit është 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, deri dy muaj përpara ditës së votimit. Ky është hapi i parë që ndërmerr insitucioni për mundësimin e votës së diasporës.
Pas kësaj, duhet të përcaktojë edhe mënyrën se si do të votohet. (A2 Televizion)