“Vrasësi serial” në SHBA pranon me gjakftohtësi 32 ekzekutime

Nga A2 CNN
18 Maj 2019, 18:52 | Bota

Nicholas Brent Gibson, 32 vjeç, u arrestua gati dy javë më parë në New York City si i dyshuar për vrasjen e personit me të cilin ndante shtëpinë, por tashmë ai dyshohet se është një vrasës serial. Madje, ai ka pranuar vrasjen e 32 personave.

Teksa doli në Gjykatën Penale të Manhatanit një ditë më parë, Gibson pranoi me gjakftohtësi para disa gazetarëve vrasjen e 32 personave, mes të cilëve edhe të 77-vjeçarit Erik Stocker, më të cilin ndante shtëpinë. Për këtë të fundit, ai tha se përdori një shpatë samurai dhe pretendoi se ishte viktima që donte të vdiste.

I veshur me rrobat e burgut, me duar e këmbë të lidhura, ai u paraqit para gjykatës mëngjesin e së premtes për një seancë dëgjimore për ekstradim për t’u përballur me akuzat për vrasje në Florida.

Ndërsa po priste të transportohej, një gazetar e pyeti Gibson nëse ishte ai vrasësi i 77-vjeçarit. “E vrava me duart e mia” tha ai fillimisht.

Më tej, një tjetër gazetar tha se është raportuar se arma e vrasjes ishte një shpatë, Gibson u përgjigj: “Po. Një e madhe!”

Ndërsa ai priste automjetin që do ta rikthente në qeli, pyetjet e gazetarëve vazhdonin. Gibson i konfirmoi gazetarëve se vrasjen e parë e ka kryer që në moshën 12-vjeçare, ndërsa shtoi se numri i viktimave të tij është 32.

Ndërkohë, hetuesit kanë nisur punën intensive duke shqyrtuar raportet për persona të zhdukur për të përcaktuar nëse krimet e Gibson janë reale ose një mburrje boshe e tij që synon të humbasë kohën e policisë e ta bëjë atë famëkeq.

Megjithatë, një gjë është e sigurt, Gibson zor të dalë më nga burgu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos