
Policia e Elbasanit bën me dije se ka arrestuar dy persona në lidhje me vrasjen e Albi Bashaliu, i cili u ekzekutua 2 ditë më parë në Gjoxhaj të Peqinit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur arrestimi i shtetasve, V. B., 41 vjeç dhe M. Xh., 30 vjeç, të cilët dyshohen se kanë përkrahur autorët e krimit dhe kanë kryer veprime për të fshehur rrethanat e ngjarjes.
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima.
Nga rrethanat e hetimit, dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.
Viktima Albi Bashaliu ka qenë i arrestuar në vitin 2017, për një ngjarje të ndodhur në fshatin Gjocaj, kur gjatë një konflikti qëlloi me automatik në drejtim të dy personave V.Sh. 57 vjeç dhe A.B. 38 vjeç. Nga të shtënat me armë për fat të mirë nuk u lëndua asnjë person.
Ndërkohë, mësohet se vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu, ndodhet në burg i dënuar për vrasjen e Ylber Xhahysës, ngjarje e ndodhur në muajin qershor 2021. (A2 Televizion)