
Agjentë të seksionit kundër krimeve të jetës në Drejtorinë e Policisë së Vlorës janë rikthyer sërish në Selenicë paraditen e së enjtes, në vendin ku një natë më parë u ekzekutua me 5 plumba Nikolla Ikonomi, i njohur ndryshe në Selenicë edhe si Dilaver Tozaj.
Grupi i hetimit ka riekspertuar vendngjarjen me shpresën për të gjetur ndonjë provë që nuk kanë mundur ta marrin gjatë orëve të natës. Pyetja e dhjetra personave që mendohej se mund të kishin dijeni për ngjarjen duket se nuk ka dhënë ndonjë detaj me vlerë për zbardhjen e këtij ekzekutimi, ndërsa policia ka ngritur dyshimet e para.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 47-vjeçari, përpara se të ekzekutohej, është telefonuar nga ekzekutori.
E kaluara e viktimës mbetet pista kryesore e hetimit, pasi rezulton i dënuar për trafik narkotikësh. Ndërsa, sipas grupit të hetimit, autori i vrasjes mendohet të jetë një person i përgatitur mirë, pasi ka studiuar si zonën e ashtu edhe lëvizjet e viktimës. Edhe mënyra e ekzekutimit të lë të besosh se autori mund të konsiderohet si një vrasës i sprovuar, pasi e ka qëlluar viktimën në kokë dhe kraharor, vrasje këto tipike mafioze. (A2 Televizion)