
Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Fridman Xhaferrajt, ngjarje e ndodhur 5 muaj më parë në rezervuarin e Gjançit.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se autori i dyshuar Kristi Bixheku, nuk ka pranuar të flasë para uniformave blu. Ai ka zgjedhur të heshtë me justifikimin se do të flasë në një moment tjetër në prani të avokatit të tij pranë togave të zeza, pasi ditën e djeshme avokati ka munguar gjatë shoqërimit të Bixhekut në komisariat.
Ai u ndalua ditën e djeshme në Tiranë, ndërsa u soll në Korçë pasi ndalimi është bërë për llogari të bluve të Korçës. Ngjarja ka ndodhur 5 muaj më parë ku viktimë mbeti Fridman Xhaferraj. Pritet që Bixheku të dalë para gjykatës për t'u njohur me masën e arrestit të vendosur prej tyre.
I dyshuari tjetër për këtë ngjarje është Lulëzim Spahija, me nofkën "Arapi". (A2 Televizion)