Vrasja e Vajdin Lamajt, Emiliano Shullazi i dyshuar. SPAK shpall në kërkim Lul Berishën dhe Plarent Dervishajn edhe për një vrasje tjetër

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2020, 18:17 | Kronikë
Vrasja e Vajdin Lamajt, Emiliano Shullazi i dyshuar. SPAK shpall në

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka zbardhur dy ngjarje kriminale të shënuar 15 vite më parë, ekzekutimin e ish-anëtarit të bandës së Durrësit, Klodian Saliu dhe biznesmenit Vajdin Lamaj.

Kanë qenë deklarimet e një të penduari, që kanë ndihmuar prokurorët të shkundin pluhurin e këtyre dosjeve dhe të shkonin tek emrat e autorëve të dyshuar. Sipas SPAK, autorë të tyre janë ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, kunati i tij, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai dhe Luftar Reçi, për të cilët janë lëshuar urdhër arreste nga Gjykata e Posaçme. Ndërsa Indrit Taullai u arrestua pak ditë më parë në Kosovë dhe Luftar Reçi vuan një dënim me burg, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj nuk janë gjendur dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Për ekzekutimin e biznesmenit Lamaj, SPAK pretendon se ata kanë bashkëpunuar edhe me Viktor Ymerin dhe Emiliano Shullazin. Ymeri u arrestua pasditen e së martës, ndërsa Emiliano Shullazit iu komunikua masa e re “arrest në burg” në ambientet e 41BIS, ku ai po vuan dënim për një tjetër çështje penale.

Dy ngjarjet kriminale të zbardhura nga SPAK kanë ndodhur shkurtin e vitit 2005. Mbrëmjen e 26 shkurtit Klodian Saliu po udhëtonte në një automjet tip “Mercedes” në aksin Durrës-Maminas, kur nga një automjet në lëvizje u qëllua me breshëri automatike. Saliu u vra, ndërsa u plagos edhe një person tjetër. 24 orë me vonë, biznesmeni Vajdin Lame u vra nga një shpërthimi telekomanduar i një sasie tritoli të vendosur në ashensorin e pallatit të tij pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Përveç tij, i vrarë mbeti edhe Artan Arsi.

Njoftimi i SPAK mbi procedimin penal

Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar. Më konkretisht, bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku  është qëlluar me armë zjarri shtetasi Klodian Saliu. Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima Vajdin Lamaj, një biznesmen i njohur atë kohë, një ngjarje që bëri shumë bujë në kryeqytet.

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm.

https://a2news.com/2020/12/08/cilat-jane-dy-atentatet-mafioze-te-zbardhura-nga-spak-pas-15-vitesh/

Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve:

  1. Berisha, P. Dervishaj, I. Taulla dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal.
https://a2news.com/2020/12/08/gjykata-e-prizrenit-le-ne-qeli-taullain-spak-e-akuzon-per-vrasje-ish-anetarin-e-bandes-se-durresit/

Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Ymeri (Imeraj), E. Shullazi për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 07.12.2020 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit V. Ymeri. Gjithashtu në datën 06.12.2020 falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit shtetasi I. Taulla. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit të tij nga Republika e Kosovës.

Ndërsa në datën 08.12.2020, Policia Gjyqësore ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit E. Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale). 

Nisur nga dinamika e hetimeve, në datën 07.12.2020 Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I. Rusi, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Hetimet dhe ekzekutimi i masave të sigurimit janë kryer në bashkëpunim të ngushtë dhe shumë efikas me Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Zbulimi dhe përballja me ligjin e autorëve të veprave penale të rënda dhe akoma të pazbuluara ngelet një ndër prioritetet e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë qytetarët që kanë dijeni në lidhje me këto ngjarje kriminale janë të lutur që të deklarojnë në Prokurori duke i garantuar ata për seriozitetin dhe gatishmërinë e Prokurorisë së Posaçme për ti shkuar deri në fund të hetimit me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/12/08/ne-kerkim-per-vrasjet-e-15-viteve-me-pare-avokati-i-lul-berishes-dyshime-te-pa-mbeshtetura-ne-prova/

A2 CNN Livestream

Latest Videos