Vrasja në Shkodër, i ndaluari mohon akuzat: Isha në vendin e gabuar, në momentin e gabuar

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2020, 13:41 | Kronikë
Vrasja në Shkodër, i ndaluari mohon akuzat: Isha në vendin e

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka lënë me masën "arrest me burg" shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ridvan Hysenit në fshatin Mushan të njësisë administrative Dajç, në Shkodër.

Ndërkohë, gjykata ka dhënë masën lehtësuese "detyrim paraqitje" për dy dëshmitarët Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, pronarët e karburantit, para të cilit ndodhi ngjarja, të arrestuar për "moskallëzim krimi" si dëshmitarë në vrasjen e 46-vjeçarit.

Ka qenë vetë Prokuroria që kërkoi masën "detyrim paraqitje" për dy dëshmitarët ndërsa për Milkjor Gjokën, organi i akuzës kërkoi arrest me burg, masë e cila u konfirmua nga gjykata.

Shtetasi Milkjor Gjoka deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur duke mohuar akuzat ndaj tij. Ai tha se ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, “në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar”, duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj që dyshohen si autorë të vrasjes së Ridvan Hysenit ose i njohur edhe si Ridvan Ramazani.

Ndërkohë, Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme rreth ngjarjes. Pala mbrojtëse kërkoi një masë me lehtësuese, por gjykata vendosi "arrest me burg". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos