Një 28-vjeçar u qëllua për vdekje mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit në kryeqytet. Vilson Tafçiu, 28 vjeç, ishte në një nga lokalet e zonës kur u thërrit jashtë nga një tjetër person, i cili e qëlloi për vdekje me pistoletë.
Dëshmitarë në vendngjarje thanë se atentatori ishte një i ri rreth të njëzetave, me mjekër të gjatë, ndërsa hetuesit dyshojnë se ai u ndihmua nga një automjet për t’u larguar nga vendngjarja.
Pika të shumta kontrolli u ngritën në zonën e Astirit në kërkim të autorit të vrasjes, por asnjë person nuk u ndalua nga policia veç shoqërimeve të shumta të dëshmitarëve që panë skenën e krimit.
Tafçiu, me origjinë nga Dibra, është një emër i njohur për policinë, i cili më 7 Mars të vitit 2018 ishte larguar nga Shqipëria drejt Francës, por vetëm pak ditë më vonë, më 12 Mars 2018, ai ishte arrestuar nga autoritetet atje për shpërndarje të lëndëve narkotike.
28-vjeçari u dënua me një vit burg, ndërsa pas 8 muajve paraburgim u deportua drejt Shqipërisë, më 6 Nëntor 2018. Pikërisht kjo është një nga pistat e cila po hetohet nga policia, ajo e prishjes së pazareve të drogës. (A2 Televizion)