
Prokuroria e Tiranës shkund nga pluhuri dosjen “21 janari”. Përtej një dekade nga ngjarja me katër të vrarë në bulevard prokuroria e kryeqytetit ka rinisur hetimin për zbardhjen e dy prej vrasjeve të mbetura pa autor, atë të Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosjen e 6 të tjerëve.
Hetimi i ri i drejtuar nga prokurorja Marjeta Zaimi ka nisur bazuar në një kërkesë të bërë nga Policia e Tiranës një ditë para përvjetorit të dhjetë të ngjarjes, ku kërkohej rihetim i ngjarjes.
Burime pranë prokurorisë bënë me dije se për llogari të këtij hetimi do të bëhet riekspertim i trajektores së qitjeve, që i morën jetën Nikës e Dedës, do të rimerren në pyetje dëshmitarë të ngjarjes, mes të cilëve punonjës të Gardës së Republikës, si edhe do të rikqyren pamjet filmike të orëve të trazuara të protestës.
Një tjetër veprim hetimor pritet të jetë riekspertimi i predhës së plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës. Në hetimin e parë të ngjarjes, u konstatua se predha ishte dëmtuar shumë dhe nuk kishte vlera identifikuese.
Një dekadë më vonë, për shkak të përparimit të teknologjisë do të provohet nëse në të mund të zbulohen shenja që mund ta lidhin me armën nga e cila ka dalë.
“Llogari” për këtë hetim ka kërkuar së fundmi edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kjo gjykatë ka nisur shqyrtimin e ccështjes “Nika kundës Shqipërisë”, e ngritur nga familjarët e Aleks Nikës.
A2 ka mësuar se Përmes Avokaturës së Shtetit, i kërkon shtetit shqiptar ta informojë mbi ecurinë e hetimit, si edhe t’i vihet në dispozicion cdo provë e administruar. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia”. (A2 Televizion)