Vrima e zezë ekziston, tani kemi edhe foto

Nga A2 CNN
10 Prill 2019, 17:42 | Teknologji

Astronomët kanë arritur të kapin pamjen e parë të vrimës së zezë, që ndodhet në një galaksi të largët. Ajo ka një diametër prej 40 miliardë kilometrash, tre milionë herë më e madhe se sa diametri i Tokës.

Shkencëtarët e kanë përshkruar si një “mostër”. Vrima e zezë ndodhet 500 milionë trilionë kilometra larg (ose 55 milionë vite-dritë larg) dhe u fotografua përmes një rrjeti prej tetë teleskopësh të vendosur në vende të ndryshme të globit.

Kjo është dëshmia e parë vizuale që vrima e zezë ekziston, thonë studiuesit. Në fotografinë e bërë publike, pjesa e madhe e zezë rrethohet nga një unazë drite që duket disi më e çelët në njërën anë.

Vrima e zezë ka një masë 6,5 miliardë herë më të madhe se sa dielli, më e madhe se orbita e Neptunit, planetit që i duhen 200 vite për të realizuar një cikël rreth diellit. “Kemi parë atë që mendonim se ishte e pamundur të shihej”, tha Sheperd Doeleman, drejtori i “Event Horizon Telescope Collaboration”. "E kemi parë dhe madje i kemi bërë edhe një fotografi vrimës së zezë”.

Sheperd Doeleman

Vërtetimi i ekzistencës së vrimës së zezë mbështet edhe më tepër Teorinë e Relativitetit të Albert Einstein, dhe mund të ndihmojë edhe në zbulimin e një pyetje që mundon shkencëtarët prej vitesh, si fakti që vrimat e zeza herë pas here nxjerrin objekte apo materiale të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos