Një 42-vjeçar, baba i një vajze, u ekzekutua me breshëri automatike pasditen e së mërkurës në Lezhë.
Policia e identifikoi viktimën si Nikolin Marku (Lekstakaj). Ai u qëllua teksa po dilte nga një market buzë aksit rrugor Shkodër-Lezhë, në zonën e Balldreut. Sipas dëshmitarëve, ekzekutorët që dyshohet të kenë qenë dy të tillë, kanë qenë në bordin e një automjeti, që udhëtonte në drejtim të Lezhës.
Pasi kanë hapur zjarr drejt Markut, ata janë larguar me shpejtësi. 42-vjeçari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Sipas grupit të hetimit, ekzekutorët kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Markut dhe kanë shfrytëzuar faktin se marketi nuk ka kamera sigurie.
Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me zinxhirin e vrasjeve mes fiseve Nikulaj e Lekstakaj, të nisura prej vitit 1996. Kjo histori hakmarrjeje tre muaj më parë i mori jetën biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u vra në ambientet e një lokali në pronësi të tij në Shëngjin. Sipas Prokurorisë së Lezhës, financues të këtij krimi, ku u përdor si vrasës me pagesë një shtetas i huaj, ishin të afërt të fisit Lekstakaj.
Mësohet se pas kësaj ngjarjeje, Nikolin Marku (Lekstakaj) bënte lëvizje të kufizuara.

(A2 Televizion)