Vuçiç injoron sanksionet e SHBA ndaj zyrtarëve serbë: Do të sillem sikur nuk ekzistojnë

Nga A2 CNN
5 Gusht 2023, 18:21 | Ballkani
Vuçiç injoron sanksionet e SHBA ndaj zyrtarëve serbë: Do

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi së fundmi se Serbia do të injorojë sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë ndaj disa zyrtarëve të lartë serbë të Bosnjës për dëmtimin e marrëveshjes së paqes të vitit 1995.

Gjatë një takimi të zhvilluar në Bosnje, lideri serb u shpreh se zyrtarët e shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit do të jenë të mirëpritur në Serbi, megjithëse kjo do të jetë e vështirë dhe mund të ketë pasoja.

“Republika e Serbisë do t'i trajtojë sanksionet sikur të mos ekzistonin. Është e vështirë, por ky është i vetmi vendim i mundshëm”, tha Vuçiç.

Në mesin e zyrtarëve serbë të Bosnjës të sanksionuar nga SHBA janë Zhelka Cvijanoviç, anëtare e presidencës trepalëshe dhe kryeministri i entitetit serb në Bosnje, Radovan Vishkoviç.

Udhëheqësi separatist i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, është sanksionuar më parë nga Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj shefit të agjencisë së sigurisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, duke e akuzuar atë për përfshirje në tregti të paligjshme armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të detyrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos