
Gjergji Vurmo nga IDM Albania komentoi në “Absolut 4” mundësinë e një marrëveshje mes kreut të mazhorancës, Edi Rama dhe atij të opozitës, Lulzim Basha.
Për Vurmon, deklarata e një dite më parë e kryeministrit Rama, i cili la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Bashën, ishte për të fituar votuesit e pavendosur.
“Unë mendoj se Rama i flet votuesve të pavendosur, të cilët ose e kanë ndarë mendjen për të votuar ose janë pranë. Zakonisht, kjo fashë votuesish nuk shkon të votojë partinë në pushtet, por opozitën”.
Ai theksoi se në këtë moment vendit nuk i duhet një “pazar” i tillë. “Nuk është një ide për të ulur gjakrat dhe për të parë drejt të ardhmes së vendit, prioriteteve, objektivave. Unë besoj se qëllimi i Ramës është një lloj diversioni. Nëse do të bëhej fjalë për një ofertë të sinqertë, ato zhvillohen në forume.
Në këtë moment, shqiptarëve nuk u duhet kjo, por të ndajnë mendjen, kush është çfarë? Një platformë e tillë, Shqipërisë i duhej në vitin 2019 kur opozita vendosi të braktiste institucionet. Në atë moment Shqipëria kishte nevojë për një dakordësi të madhe, për gjetjen e një rrugëzgjidhje për të dalë nga situata.
Të mbarojnë zgjedhjet. Të shohim se çfarë do të vendosin shqiptarët dhe më pas jam dakord me atë që politika është arti i së pamundurës, por ky postulat ka si yll polar të tij zgjidhjen e probleme dhe jo marrëveshjet e nevojave të disa politikanëve për të qëndruar me çdo kusht në pushtet”, u shpreh Gjergji Vurmo. (A2 Televizion)