Xhaçka takon ambasadorin Soreca për hapat e integrimit, më pas komunikim me Varhelyi

Nga A2 CNN
8 Janar 2021, 13:41 | Politikë
Xhaçka takon ambasadorin Soreca për hapat e integrimit, më pas

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është takuar sot me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, për nisjen e asistencës teknike në procesin e integrimit. Në një postim në Twitter, Xhaçka thekson se do të angazhohen të gjitha burimet për t'u përgatitur për hapjen e negociatave Shqipëri – BE.

“Shkëmbim konstruktiv i pikëpamjeve mbi procesin e integrimit dhe fillimin e projektit për asistencën teknike për integrimin (SEI). Mirënjohje për ndihmën e dhënë nga Bashkimi Europian për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe institucionet e tjera shqiptare, si dhe për kontributin personal të ambasadorit Soreca. Integrimi do të jetë gjithmonë objektivi ynë më i rëndësishëm strategjik. Do të angazhojmë të gjitha burimet dhe energjitë tona, për t'u përgatitur për hapjen e negociatave Shqipëri – BE”, shkruan ministrja.

https://twitter.com/xhacka_olta/status/1347512687522172928

Nga ana e tij, edhe ambasadori Soreca theksoi se  u diskutuan hapat e ardhshëm në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Në takimin e parë sot me ministren, Olta Xhaçka, diskutuam hapat e ardhshëm të integrimit në Bashkimin Evropian. Puna që duhet bërë në muajt e ardhshëm, por perspektiva është e qartë në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Unë vlerësova Shqipërinë në përputhje 100% me politikën e jashtme të BE-së dhe rolin pozitiv të saj në nivel rajonal”, shkruan Soreca.

Po sot, ministrja Xhaçka do të ketë një takim virtual me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi. (A2 Televizion)

https://twitter.com/LSorecaEU/status/1347520580250165248

A2 CNN Livestream

Latest Videos