Pasditen e sotme mblidhet serish tryeza politike për Reformën zgjedhore, për të vijuar më tej diskutimet për çështjet që ende nuk ka dakordësi. Por, burime për A2 thonë se përpara këtij takimi, përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili do të ketë një takim me ambasadoren e SHBA Yuri Kim.
Po të njëjtat burime saktësojnë se më herët kryediplomatja amerikane ka zhvilluar takime me Damian Gjiknurin nga PS, Oerd Bylykbashin nga PD dhe Rudina Hajdarin nga opozita parlamentare. Palët kanë vendosur që 31 maji të jetë afati për të pasur një draft të plote mbi Reformën Zgjedhore.
Ndërkohë, gjatë ditës Yuri Kim është takuar edhe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, ku Reforma Zgjedhore, në Drejtësi dhe integrimi europian kane qenë në fokus të takimit. “Suksesi i reformave është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimit të vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese”, thuhet në një njoftim të Kuvendit. Kim pati një takim edhe me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. (A2 Televizion)