
Ambasadorja amerikane Yuri Kim u takua të mërkurën me kreun e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa. Sipas një postimi në faqen e ambasadës së SHBA, takimi u zhvillua “për të përsëritur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një media të pavarur dhe të lirë, e cila është jetike për demokracinë e Shqipërisë dhe rrugën drejt BE-së”.
“Ambasadorja Kim theksoi se për Shtetet e Bashkuara, liria dhe siguria e gazetarëve janë thelbësore. Ajo shprehu shqetësimin për sulmet dhe kërcënimet e fundit kundër gazetarëve dhe kërkoi solidaritet mes gazetarëve për të dënuar sulme të tilla dhe për të kërkuar llogari. Kërcënimet dhe sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve janë kërcënime kundër demokracisë”. (A2 Televizion)