
Risitë teknologjike në një kohë të shpejtë kanë bërë që disa profesione që dikur kanë qenë mjaft të zhvilluara e të përhapura në Shqipëri të shkojnë drejt zhdukjes.
Bëhet fjalë për zanate e profesione që para viteve ‘90 kanë pasur rëndësi të veçantë për shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm për shkak se funksiononin si një burim të ardhurash por këto profesione kishin edhe rëndësi tradicionale e kulturore.
Cilësohen si të tilla për shkak se këto punë trashëgohen prej brezash por edhe shërbejnë për të dalluar një shoqëri nga një tjetër.
Por sot këto profesione kanë filluar të mos jenë të pëlqyeshme për të rinjtë të ndikuar dhe nga trendi i tregut të punës dhe zhvillimet e ndryshme ekonomike.
Profesionet artizanale si kovaç, farkëtar, poçar dhe zdrukthtar janë profesione të vlefshme që pavarësisht cilësisë së tyre po zëvendësohen nga risitë teknologjike.
Punët artizanale me dorë si sixhdet, qilima , qëndisja e veshjeve popullore kanë vlera të veçanta për kulturën dhe traditën shqiptare. Por ato janë larg vëmendjes së vetë qytetarëve dhe vlerësohen më tepër nga turistët e huaj. Pikërisht për shkak se numërohen me gishta ata që I trashëgojnë këto zanate vlera e prodhimeve të tyre është e veçantë.
Të tjera profesione që po humbasin rëndësinë e tyre janë orëndreqësit, nallbanët apo dhe këpucarët. (A2 Televizion)