
Ashtu si po zhduket liqeni i Prespës së vogël edhe fshatrat përreth tij po pësojnë të njëjtin fat. Zagradeci është shembulli i fshatit që po zhduket për shkak të mungesës së shërbimeve bazë, duke nisur që me mungesën e shërbimeve më elementare në shëndetësi, për të mos folur për infrastrukturë apo bujqësi. Qendra shëndetësore e Zagradecit tashmë është një ngrehinë e rrënuar.
“Qendra shëndetësore ka 10 vjet që nuk ekziston. Paguajmë makina private po patëm probleme. Një infermiere vjen një herë në javë për të matur tensionin”, thonë banorët.
Mungesa e sistemeve vaditëse në fshat do të thotë toka djerrë dhe të ardhura të pakta për familjet. Kjo ka sjellë që gati 2/3 e banorëve të braktisin Zagradecin.
Ndërsa ata që kanë mbetur kujtojnë me nostalgji kohën e komunizmit kur kishin mundësi të vadisnin tokat e tyre. “Bëjmë prodhimin na mbetet stok, kam djegur 5 kuintalë çaj vjet. Do të mjaftonte një pompë siç ka qenë në kohën e monizmit, por asnjë nuk investon”, shtojnë ata.
Zagradeci sot ka vetëm 100 banorë nga 300 që ka pasur dikur. Dhe nuk do jetë e largët dita që fshati të mbetet thjesht një gërmadhë. Edhe pse një zonë me potenciale për turizëm, harresa në investime ka bërë që banorët të jetojnë vetëm me shpresën te Zoti. (A2 Televizion)