
Në sallën e GJKKO, përballë trupës gjykuese, Safet Gjici ka deklaruar se nuk ka shkelur ligjin. Ndonëse në videon e publikuar u pa teksa diskutonte me Alma K., për një tender për kastrimin e qenve të Kukësit, Gjici thotë se nuk ka pasur një projekt konkret të vënë në zbatim. Sipas tij, e gjitha ka qenë një kurth nga njerëzit që e kishin inat.
“Unë u ndëshkova për veprimin që kam bërë, unë e mora dënimin për gabimin që kam bërë. Nuk ka projekt, nuk kemi parë projekt, nuk kam shkelur ligjin. Rashë në kurthin e atyre që s’më duan, por nuk kam kryer asnjë shkelje ligjore”, ka thënë Gjici.
Avokati Përparim Kulluri nga ana e tij kërkoi një masë më të butë sigurie me pretendimin se nuk ka elemente të veprës penale të "korrupsionit" në veprimet e kryera nga Gjici.
Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Safet Gjicin, ish-kryetarin e Bashkisë Kukës të akuzuar për korrupsion pasiv. Gjithashtu, gjykata vendosi të lërë në arrest shtëpie Alma K., vajzën e cila shfaqet në video me Gjicin. (A2 Televizion)