
Policia ka bërë të ditur se ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë në Durrës ku mbeti i plagosur një person.
Sipas policisë, për këtë ngjarje është vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili dyshohet të ketë qenë i përfshirë në këtë konflikt, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet 1 armë zjarri automatik, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe municion luftarak.
“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4, Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestua në flagrancë (në ambientet e spitalit), shtetasi Arben Tivari, 25 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", si dhe u shpall në kërkim shtetasi Alket Buçpapaj, 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Armëmbajtja pa leje".
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se me datë 22.03.2021, rreth orës 19:20, në lagjen nr. 4, Durrës, pas një konflikti fizik të çastit dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, shtetasi Alket Buçpapaj ka plagosur me armë zjarri në krah, shtetasin Arben Tivari, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Arben Tivari, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 armë të ftohtë (thikë), një kapuç në ngjyrë të zezë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Ndërkohë, theksohet se po vijon puna për arrestimin e autorit të kësaj ngjarje, i cili sipas policisë është shtetasi Alket Buçpapaj. (A2 Televizion)