Zbulohet kontrata e Wagner, rekrutët e rinj pranojnë të luftojnë kundër 2 vendeve të NATO-s

Nga A2 CNN
27 Korrik 2023, 20:02 | Bota

Dislokimi i mercenarëve të grupit Wagner në bazat ushtarake të Bjellorusisë pasi shefi i tyre Yevgeny Prigozhin dështoi të mbërrinte në Moskë gjatë rebelimit të armatosur, nuk duket të jetë i paqëllimshëm.

Zërat qarkullojnë prej kohësh se Putin në marrëveshjen e re me grupin Wagner ka parashikuar pushtimin e korridorit prej 60 miljesh në kufirin midis Polonisë dhe Lituanisë, të quajtur “Suwalki Corridor”.

Dhe një konfirmim për këto zëra duket të jetë kontrata që rekrutët e rinj të Wagner duhet të firmosin kur bëhen pjesë e ushtrisë private.

Sipas DailyMail, rekrutëve të rinj në marrëveshjen që nënshkruajnë u thuhet se duhet të bien dakord të luftojnë brenda dy vendeve të NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë.

Për këtë informacion media britanike i referohet burimeve nga Qendra Kombëtare e Rezistencës së Ukrainës.

Mercenarët e saporekrutuar duhet të bien dakord "të marrin pjesë në luftë në territorin e vendeve fqinje me Bjellorusinë, në veçanti, Poloninë dhe Lituaninë", sipas qendrës.

Që nga mbërritja në Bjellorusi, mercenarët e Wagner janë vendosur në kampe fushore dhe po u ofrojnë trajnime forcave bjelloruse, por Ukraina pretendon se ata janë duke rekrutuar luftëtarë të rinj në një përpjekje për të rritur radhët e tyre, teksa përgatiten për luftën e ardhshme, potencialisht në territorin e NATO-s.

Të paktën 5,000 trupa të Wagner-it janë ribazuar në Bjellorusi, ku supozohet se do të stërvitin ushtrinë e autokratit Aleksandër Lukashenko dhe një sulm i tyre në një territor të NATO-s do të përbënte bazën që aleanca e sigurisë të hyjë në një konflikt të armatosur, pasi aktivizon klauzolën 5 të Aleancës.

Lituania e ka shpallur Wagner një organizatë terroriste dhe ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Błaszczak u zotua më 18 korrik të përforcojë kufirin e tij me dy brigada ushtarake shtesë për shkak të pranisë së tyre.

Polonia po riarmatoset me shpejtësi për shkak të kërcënimit nga Moska dhe Gjermania do të vendosë 4000 trupa të përhershme në Lituani ndërsa NATO forcon praninë e saj në shtetet baltike.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, kufiri midis Polonisë dhe Lituanisë është quajtur 'lidhja më e dobët' e NATO-s.

Korridori Suwalki është një rrip toke që ka një rëndësi të madhe strategjike për NATO-n, BE-në dhe Rusinë.

Për Perëndimin, ajo është e vetmja lidhje tokësore me tre republikat ish-sovjetike baltike - Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë - të cilat shihen si të prekshme nga agresioni i Kremlinit, në rast se Putin kërkon të përkeqësojë tensionet aktuale lindje-perëndim.

Për Rusinë, kontrolli i korridorit do të krijonte një lidhje tokësore midis enklavës balltike të Kaliningradit, bazës kryesore të Flotës Balltike të Putinit, dhe aleatit të Kremlinit, Bjellorusisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos