
Presidenti rus, Vladimir Putin, foli në konferencë për shtyp pas takimit me Presidentin amerikan, Joe Biden, në Gjenevë.
Putin tha para mediave se ai dhe Biden kanë arritur marrëveshjen që të kthejnë ambasadorët respektivë dhe ata të rinisin detyrat e tyre diplomatike.
Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov, dhe ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, u kthyen në vendet e tyre disa muaj më parë, pasi tensionet SHBA-Rusi u rritën tej mase.
Ndërsa, në lidhje me futjen e Ukrainës në NATO, Putin theksoi: “Nuk ka asgjë për të diskutuar”.
Kur u pyet nga CNN nëse bisedimet me Biden ishin “armiqësore”, Putin u shpreh se nuk ishin aspak të tilla, madje ishin “shumë konstruktive”, me të dyja palët që treguan “vullnet për të kuptuar njëri-tjetrin”.
Putin shtoi se ai dhe Biden ranë dakord për të nisur negociatat mbi sigurinë kibernetike. (A2 Televizion)