
Gati gjysma e shteteve amerikane po përjetojnë rritje të nivelit të infektimit nga covid-19, mes zbutjes së kufizimeve dhe protestave masive kundër racizmit. Trendi i rritjes së rasteve prek 22 shtete sipas të dhënave të reja, 20 shënojnë rënie ndërsa 8 kanë situatë të qëndrueshme.
Situtata më shqetësuese mbetet në Florida, shtet i cili ka hyrë në fazën e dytë të rihapjes, e që gjatë ditëve të fundit ka shënuar një rritje prej 46% të infektimeve me koronavirus. Shtetet e Bashkuara numërojnë gjithsej 1,9 milionë raste me Covid-19, dhe mbi 110 mijë vetë kanë humbur jetën në 4 muaj.
Edhe shifrat që vijnë nga Brazili, sugjerojnë se pandemia është ende larg fundit. Koalicioni i mediave që grumbullon të dhënat në shtetin amerikano-latin raportoi 849 vdekje në 24 orë për një total prej 37 mijë 312 humbje jetësh. U regjistruan gjithashtu 19600 raste, duke e çuar totalin në mbi 710 mijë.
E megjithatë të dhënat kontestohen nga Ministria e Shëndetësisë që raporton shifra të tjera, më të ulëta. Çështja e raportimit të të dhënave po shkakton polemika në vendin e goditur rëndë nga kriza, me qeverinë Bolsonaro që po akuzohet për autoritarizëm pasi fshiu të dhënat nga faqja zyrtare e saj në fundjavë.
Frikë për përkeqësim të situatës edhe në Indi, ndërsa vendi zbuti kufizimet gjatë kësaj jave. Nju Delhi raportoi 1000 raste të reja, për një total prej 30 mijë të tillash, por situata mbetet më e vështirë në Mumbai, ku numërohen më shumë se 50 mijë të prekur. Në total India ka regjistruar 250 mijë raste dhe 7500 vdekje nga Covid-19. (A2 Televizion)