
Ndonëse me përqendrim absolut te lufta që ka përfshirë vendin e tij, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky nuk ka harruar të urojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë.
Teksa shprehu mirënjohjen ndaj SHBA dhe administratës Biden për mbështetjen në këto kohë të vështira, Zelensky tha se Europa nuk do të ketë nevojë për ushtarët amerikanë në betejën e përgjakshme për liri.
Sipas liderit ukrainas, me mbështetjen e SHBA, Ukraina ka ndezur një flakë të fuqishme lirie në këtë pjesë të Europës.
"Dashuria ukrainase për lirinë me mbështetjen tuaj ka ndezur një flakë të re të fuqishme lirie në pjesën tonë të Evropës, e cila nuk do të shuhet dhe do të sigurojë që tirania nuk do të kalojë më kurrë nëpër Evropë. Prandaj Evropa nuk do të ketë nevojë për pjesëmarrjen e ushtarëve tuaj në një betejë e përgjakshme për liri dhe ëndrra e Ukrainës për të jetuar lirisht kur të kurorëzohet me fitore në luftën brutale dhe të paprovokuar të nisur nga Rusia, do t'i japë energji të re lidershipit amerikan".
Që nga nisja e luftës Shtetet e Bashkuara kanë qenë aleati kryesor i Ukrainës dhe e ka mbështetur atë me ndihma ushtarake dhe financiare, për të përballuar agresionin e Rusisë. (A2 Televizion)