
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në mesazhin e fundit drejtuar popullit, përjashtoi mundësinë e bisedimeve për paqe me Rusinë, duke u angazhuar se ushtria ukrainase do ta dëbojë makinën ruse të luftës nga territori.
Për Zelensky-n, negociatat me Putinin, për momentin, janë jashtë agjende, pas vendimit të liderit të Kremlinit për të aneksuar 4 rajonet ukrainase.
Më tej, Zelensky bëri një përmbledhje të situatës së fundit të luftimeve, ku tha se ushtria ukrainase kishte rimarrë kontrollin në dhjetëra fshatra në lindje dhe jug të vendit.
Hartat e fundit të fushëbetejës nga Kremlini tregojnë gjithashtu se trupat ruse janë larguar nga shumë zona, duke përfshirë përgjatë bregut perëndimor të lumit Dnipro.
Ndërkohë, në rajonin lindor të Kharkiv, forcat ruse kishin braktisur pothuajse tërësisht bregun lindor të lumit Oskil, duke u dhënë potencialisht ukrainasve hapësirë për të bombarduar korridoret kryesore të transportit dhe furnizimit të trupave ruse.
“Ushtarët tanë nuk ndalen. Dhe është vetëm çështje kohe që ta dëbojmë pushtuesin nga e gjithë toka jonë”, u shpreh Zelensky. (A2 Televizion)