Zelensky takon Macron e Scholz, pas tankeve, kërkon të bindë Europën për avionë lufte

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2023, 12:58 | Bota
Zelensky takon Macron e Scholz, pas tankeve, kërkon të bindë

Pasi bindi Perëndimin t’i japë tanke, presidenti Volodymyr Zelenky është tani në mision, për të siguruar edhe avionët e luftës.

Me këtë qëllim u detyrua të lërë vendin e tij në luftë për një vizitë në kryeqendrat e Europës. Pas Britanisë së Madhe udhëtoi në Paris, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Këta të fundit përsëritën angazhimin për të mbështetur Ukrainën dhe thanë se Rusia nuk mund ta fitojë luftën. Për momentin ende është e paqartë nëse kjo nënkupton një angazhim të mundshëm për t’i dhënë Ukrainës atë që kërkon.

“Ukraina mund të mbështetet te Franca dhe partnerët e tjerë europianë për të fituar luftën. Rusia nuk duhet dhe nuk mund të fitojë. Për sa kohë do të vazhdojë të sulmojë, do të jetë e nevojshme që ne të vazhdojmë t’i sigurojmë Ukrainës ndihmën jetësore për të mbrojtur vendin”, tha presidenti Macon.

Ndërsa kancelari gjerman u shpreh: “Që prej fillimit të kësaj luftë të tmerrshme, Europa dhe miqtë tanë përtej oqeanit jo vetëm qëndruan të vendosur krah Ukrainës, por edhe e mbështetën masivisht; me ndihma financiare, humanitare, armatime të rënda dhe tanke beteje. Do të vazhdojmë ta bëjmë për sa kohë të jetë e nevojshme”.

Presidenti Zelensky beson se avionët e luftës dhe raketat me rreze të gjatë veprimi janë të domosdoshme për t’iu bërë ballë trupave ruse, që po përgatiten për një ofensivë të re.

Gjatë konferencës së përbashkët me Macron dhe Scholz, ai tha se Gjermania dhe Franca kanë potencialin të ndryshojnë trajektoren e luftës.

“Kjo është e qartë. Sa më shpejt Ukraina të sigurojë armët e fuqishme, raketat me rreze të gjatë Emanuel, sa më shpejt pilotët tanë të marrin avionët modern Olaf, aq më i fuqishëm do të jetë koalicioni ynë i tankeve; aq më shpejt do të përfundojë agresoni rus dhe paqja do të kthehet në Europë”, tha Zelensky.

Liderët e Gjermanisë dhe Francës janë përballur në të kaluarën me kritika për reagimin e ngadaltë në mbështetje të Ukrainës, por në një intervistë për “Le Figaro”, Zelensky tha se beson që Macron ka ndryshuar. Kërkesën për avionë e raketa, presidenti ukrainas e çoi edhe në Britani ditën e mërkurë, ku mbajti gjithashtu një fjalim në parlament.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos