
Tre institucionet që zhvillojnë procesin e vetting-ut në Shqipëri i kërkuan Kuvendit zgjatjen e afatit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik i kërkuan deputetëve kohë deri në dhjetorin e vitit 2024 për të përfunduar rivlerësimin e magjistratëve.
Kuvendi i Shqipërisë vijon punën për zgjatjen e afatit të organeve të vetting-ut. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Legjislacionit, ishin thirrur në seancë dëgjimore tre organet që bënë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, të cilët kishin një qasje të unifikuar.
Maciej Popovski u shpreh: “ONM konsideron zgjatjen e afateve të KPK-së dhe komisionerëve publikë me një rëndësi shumë të madhe për të pasur një përfundim të suksesshëm të procesit të vetting-ut. Zgjatja e afatit do të jetë i mjaftueshëm për të shqyrtuar çështjet dhe mbylljen e institucioneve”.
Të gjendur përballë pyetjes se përse nuk përfundoi rivlerësimi në pesë vite, KPK-ja kishte disa argumente. I pari ishte numri i stafit, të cilin Kuvendi ia plotësoi kërkesën në vitin e fundit të mandatit, duke bërë pjesë të fajit edhe vetë maxhorancën socialiste.
Genta Tafa Bungo tha: “Çdo vit unë kam ardhur dhe kam kërkuar staf, në çdo vit mua më janë dhënë gjysma e atyre që kam kërkuar. Fakti që në vitin 2021 numri i vendimeve tona është rritur ndjeshëm, tregon se ne e kemi pasur të nevojshëm këtë numër këshilltarësh që kemi”.
Argumenti i dytë ishte Covid-19, jo vetëm për shkak se për katër muaj u paralizua puna për për shkak të infektimit të magjistratëve: “Në 26 raste ne na u sëmurën subjektet me Covid një ditë përpara sesa t’i thërrasim në seancë. Marrin raport post covid edhe 2 muaj, edhe 3 muaj, sapo ne i çojmë rezultatet e hetimit dhe të gjitha këto sjellin vonesa”.
Por, përgjigjen përfundimtare, KPK-ja e dha me një pyetje. Sipas tyre, rivlerësimi nuk bëhet për 800 gjyqtarë dhe prokurorë, por për së paku 6400 persona të cilët kanë lidhje familjare me këta subjekte rivlerësimi: “Ne shikojmë jetën e 6400 personave. A mund t’i shihnim ne këto për pesë vjet? Këto nuk di t’i llogaris”.
Përgjigjen përfundimtare pritet ta japë një institucion tjetër: Komisioni i Venecias, që do të jetë një surprizë fundviti për socialistët.
Lindita Nikolla u shpreh: “Komisioni i Venecias ka përcaktuar në axhendën e punës për vitin 2021 për të dhënë përgjigje për kërkesën tonë”.
Seanca dëgjimore u zhvillua me praninë e deputetëve socialistë, pasi opozita vijon bojkotin, pasi e cilëson një çështje jo emergjente. (A2 Televizion)