Zgjatja e fatkeqësisë natyrore, Bylykbashi: Kushtetueses i ka rënë “pandemia”, s’na mbron nga “epidemia” e autokracisë

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 13:45 | Politikë
Zgjatja e fatkeqësisë natyrore, Bylykbashi: Kushtetueses i ka

Zgjatja e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, për 2 muaj, është vlerësuar si antikushtetuese nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Ai u shpreh në A2 se Kushtetuta i jep leje qeverisë ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme vetëm për 30 ditë. “Unë kam thënë se ajo që ndodh sot dhe do të aprovohet në Parlament është shenja e një epidemie autokracie. Zgjatja me 2 muaj është antikushtetuese. Kushtetuta i jep lejen qeverisë të vendosë një gjendje të fatkeqësisë natyre vetëm për 30 ditë, nëse është e nevojshme për ta zgjatur duhet t’i drejtohet parlamentit me kërkesë. Në rastin konkret është 30 ditë dhe merr masa të jashtëzakonshme, nëse kjo nuk mjafton zgjat afatin jo më shumë se afati i parë. Kushtetuta i jep të drejtë të bëjë një shtyrje të dytë për 30 ditë. Kjo është ajo që ndodh edhe në vendet e tjera. Afati 30 ditor që vendos Kushtetuta i shërben të gjithëve, nga Parlamenti te opinioni, për të gjykuar masat e marra deri tani. Nëse edhe shtyrja e dytë nuk do të mjaftonte, i drejtohesh Parlamentit. Në momentin kur qeveria e vendos për 2 muaj, çfarë e pengon ta zgjasë edhe për 1 vit? Parlamenti është aty vetëm për të miratuar.

Ne kemi faktin që Gjykatës Kushtetuese i ka rënë një pandemi tjetër dhe nuk kemi asnjë mburojë për të na mbrojtur nga epidemia e autokracisë. Fatkeqësia natyrore është vetëm një kufizim i të drejtave të qytetarëve”, u shpreh Bylykbashi.

Më tej, ai kërkoi nga qeveria transparencë mbi situatën e pandemisë.

“Ndoshta në harkun e pak muajve kjo situatë mund të përmirësohet, ndoshta virusi do të qëndrojë gjatë, por ne do të mësohemi. Në SHBA ka edhe protesta në rrugë për zgjatjen e afateve. Njerëzve kërkojnë t’i drejtohen jetës. Ata kërkojnë që qeveria t’u thotë të vërtetën. Ne kemi 634 të sëmurë dhe 27 të vdekur, por nëse ne do të kishim nivelin e testimit të shteteve fqinje, do të kishim deri në 2200 të sëmurë, në bazë të shifrave. Ne jemi mes 2,7 deri në 4,7 herë më pak testime se vendet e rajonit. Praktikisht, qeveria nuk është transparente”.

Bylykbashi theksoi më tej se Shqipëria po kthehet në një shtet policor dhe kjo nuk duhet lejuar. “Në Itali qytetarët dalin në rrugë me një vetëdeklarim, ndërsa te ne duhet të dalin me leje policore. Një shtet policor që po kthehet në normalitet. Ne nuk mund ta lejojmë këtë”.

Bylykbashi komentoi edhe për nismën e amnistisë fiskale. “Ndoshta Rama po përpiqet të shfrytëzojë amullinë, duke thënë ato 5 fjalët për sukses. Emigrantët ose i kanë investuar ato para në pasuri apo forma të tjera, ose i kanë në shtetet ku jetojnë. Kështu që nuk besoj se çështja është këtu. E gjithë kjo lëvozhgë false bie. Politikanët nuk janë, personat që janë subjekt të OFL nuk janë, atëherë kush mbetet? Është një dorë e madhe për ata që kanë fshehur para, oligarkët dhe për të gjithë ata kriminelë që kanë fituar para nga trafiqet. Kanë bërë edhe vendet e tjera amnisti, por jo në një situatë të tillë emergjence”, u shpreh Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos