
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i mbledhur sot, me anë të një rezolute ka vendosur që Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votën e grupit parlamentar, pa u bërë pjesë e “farsave institucionale të mazhorancës socialiste”.
Këshilli ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të caktuar përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Sipas rezolutës, në qoftë se do të krijohen kushtet për konsensus për kandidatët e propozuar nga opozita me partitë e tjera opozitare, do të mandatohen përfaqësuesit e PD-së për të propozuar kandidatët për president.
Rezoluta e Këshillit Kombëtar shton se “çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend”.
Ndërkohë, burime të A2 CNN thonë se deri më tani kandidatë të mundshëm për kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së janë Edi Paloka dhe ish-deputetja Elena Qirici. (A2 Televizion)