
Bashkimi i demokratëve nuk po gjen zbatim në terren, në gjykimin e Ervin Salianjit, sipas të cilit gjithçka mbetet ende në nivelin e dëshirës së mirë të deklaratave politike.
Në një intervistë për A2CNN, nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së thekson nevojën që riorganizimi i partisë të përfshijë të gjithë deputetët, pa u përqendruar vetëm tek ata të Komisionit të Rithemelimit.
“Nëse diskutohet për bashkim me votë siç thotë Komisioni i Rithemelimit, atëherë pa diskutim që të ftuar në diskutime duhet të jenë edhe deputetët e zgjedhur të PD-së edhe ata që janë kundër dhe më pas le të mbahen proceset zgjedhore kur të përballen demokratët e të fitojë më i miri për PD-në”, shprehet Salianji.
Marrjen e drejtimit të partisë prej tyre, Komisioni i Rithemelimit e cilësoi si kthim në normalitet të opozitës. Salianji tregon se i rezulton e kundërta.
“Nuk është thërritur më grupi parlamentar pas ardhjes së tyre në seli për qëndrimet që ata patën në mbledhjen e kaluar, nuk është thirrur as Kryesia si entitet edhe pse gjykata për shkak se është apeluar mbahet ky qëndrimin nga një pjesë e deputetëve, duhet thirrur edhe ajo”, shtoi Salianji.
Përpos mendimeve personale që mund të kenë deputetët në lidhje me presidentin e ri, Salianji nënvizion se grupi parlamentar i PD-së duhet të dalë me një qëndrim të unifikuar, para se të miratohet kalendari për nisjen e punimeve për zgjedhjen e kreut të shtetit. (A2 Televizion)