Zgjedhjet e 14 majit, Berisha: Komision Hetimor parlamentar për masakrën elektorale

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 16:43 | Politikë
Zgjedhjet e 14 majit, Berisha: Komision Hetimor parlamentar për

Të pakënaqur nga reagimi i institucioneve të drejtësisë me denoncimet e bëra nga opozita, demokratët do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Në mbledhjen me deputetët që e mbështesin, Sali Berisha tha se kjo do të jetë kërkesa e tyre kryesore, që të hetojnë atë që ai e quan masakër elektorale. 

“Të gjitha çështjet e dërguara, janë kthyer mbrapsht pasi porosia është e prerë. Ata mund të jenë vetëm mburojë e narkoshtetit, karteleve të drogës dhe bandave të tyre. Prandaj, të dashur deputetë, duhet me urgjencë të përgatisim kërkesën për komision hetimor parlamentar për këtë farsë, më e turpshmja elektorale në historinë e Europës”, u shpreh ish-kryeministri.

Përdorimi i administratës së burgjeve, sipas Berishës është një nga shkeljet më flagrante që kanë ndodhur në zgjedhjet e 14 Majit dhe hodhi akuza direkte për ministrin e Drejtësisë. 

“Ulsi Manja është një kriminel i pakorrigjueshëm elektoral. Ai ka përdorur administratën e burgut për të terrorizuar të burgosur. Të burgosurit për krime të rënda janë kërcënuar se në rast se nuk bindin, nuk garantojnë kaq vota në burg, do transferohen në regjim special. Komisioni hetimor do i nxjerrë të gjitha këto. Të gjitha këto janë të dokumentuara, se si kanë vepruar këta bosë nëpër burgje për të siguruar votat nëpër burgje”, shtoi Berisha.

Rritjen e pagave që u njoftua nga qeveria parazgjedhjeve, Berisha e quan blerje votash me VKM. 

“Publikisht me vendime qeverie si kurrë ndonjëherë tjetër. Propaganda qeveritare ia doli. Imagjinoni tani, në një anë 670 mijë zarfe me 50 mijë lekë secili, në xhepin e 670 mijë votuesve. Rritja e rrogave për 310 mijë punonjës, të gjithë këta së bashku të marrë, bëjnë 980 mijë zgjedhës të trajtuar në këtë mënyrë”, përfundon kreu i demokratëve.

Në seancën plenare ku pritet që të miratohen këto rritje të pagave për administratën, Berisha porositi deputetët që të kërkojnë miratimin e një minimumi jetik prej 200 eurosh që tha se është bërë sipas përllogaritjes së Avokatit të Popullit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos