
Një bashkëbisedim për familjen, besimin dhe lirinë, i të rinjve republikanë në Tiranë me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, deputetë britanikë, gjermanë, austriakë dhe të parlamentit Europian. Sipas njoftimit të Partisë Republikane në mesazhet nga Amerika dhe Europa u theksua se besimi i jep një raport dhe kuptim të qartë rolit të politikanit, vlerësimit të të drejtave dhe lirisë, duke e bërë njeriun dhe kombin më të mirë.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, apeloi ndaj të rinjve të jenë forca që duhet të ndryshojë politikën dhe vendin njësoj si studentët në dhjetor të 1990.
“Rinia është qëllim në vetvete për të bërë më të mirën. Mos jeto me zhurmën dhe dogmën e të tjerëve. Beso tek vetja jote, tek zemra jote, sepse ajo nuk gabon. Të mos pranojmë të rikthehemi në rrugën e errësirës, ku na u ndalua besimi, liria dhe e drejta. Të mos pranojmë që njerëz që kanë pushtet sot të sillen me ne dhe me taksat tona, sikur janë pronarë të asaj që ne paguajmë dhe asaj çka është jeta jonë”.
Mediu tha se zgjedhjet e 14 majit sot janë një mision kundër së keqes.
“Ne sot kemi një mision kundër së keqes. Kemi një pushtet i cili po shpopullon Shqipërinë, po e shpopullon prej jush, njerëzve të rinj, njerëzve të mençur dhe të ditur, të cilët duan një jetë ndryshe, po shkatërron të ardhmen e familjeve tona, po shkatërron të ardhmen tonë si komb”.
Në fushatën e tij, Fatmir Mediu, gjatë këtij muaji ka bërë thirrje për të votuar listën e tij të kandidatëve për Këshillin Bashkiak dhe kandidatët për kryebashkiak të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”. (A2 Televizion)