
Fieri është cilësuar hambari i socialistëve në çdo proces zgjedhor, lokal, por kryesisht parlamentar, pasi është një nga Qarqet që prodhon më shumë mandate deputetësh.
Bashkia e këtij qyteti historikisht është drejtuar nga socialistët. Rekordin me 3 mandate e ka pasur Baftjar Zeqo, 2003-2015. E që prej atij viti Bashkinë e drejton Armando Subashi, i cili në 14 maj është kandidat për mandatin e tretë, në gjurmët e Zeqos. Ndërkohë Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kandidon me Zotin Evdar Kodheli, ndërsa Partia Demokratike e Alibeajt me Zonjën, Eriselda Zotaj Çelaj.
Ashtu siç kemi ecur deri dje me Debatet në të 10 qarqet që kemi realizuar deri më sot, kemi ftuar të gjithë kandidatët e Fierit. Në mungesë të debatit me njeri tjetrin, kandidatët ose kanë zgjedhur të jenë në studio, ose në lidhje të drejtpërdrejta njëri pas tjetrit, ose ne kemi zbritur në çdo qytet për të realizuar intervista mbi programet e tyre.
I vetmi që deri më sot ka refuzuar të bëhet pjesë e programit të A2 CNN, është kryebashkiaku i Fierit dhe kandidati i socialistëve atje, Armando Subashi. Pas një komunikimi prej një muaji të stafit të A2 CNN, Subashi tha se nuk do të bëhet pjesë e programit sot. Madje stafi i tij argumentoi se Subashi nuk dëshiron që të faktorizojë dy kandidatët e opozitës në këtë qytet.
Por a është kjo arsyeja, apo ka një tjetër? Në fakt pikëpyetjet për mos shfaqjen publike të Subashit me platformën e 14 majit janë të shumta.
Por në Debatin për Fierin do ta realizojmë duke lënë karrigen bosh për zotin Subashi gjatë gjithë programit, ndërsa në lidhje të drejtpërdrejtë nga Fieri njëri pas tjetrit do të kemi dy kandidatët e opozitës. (A2 Televizion)