Koalicioni “Bashkë Fitojmë” denoncoi mbrëmjen e së martës një akt dhune ndaj simpatizantëve të tij në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë, ku disa janë përfshirë disa funksionarë të lartë të Partisë Socialiste.
Në deklaratën e “Bashkë Fitojmë” thuhet se zyrtarët e shtetit kanë goditur më qyta pistoletash katër aktivistëve të Partisë Demokratike.
“Në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë e Bashkisë Fushë Arrëz, një bande e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zamir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike.


Të tre banditët me spaleta pushteti, përfaqësues të PS-së së Pukës, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë. Sipas raportimeve nga terreni, nga spitali dhe nga përfaqësues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pukë, si pasojë e dhunës ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Besmir Nika, dhe me plagë më të lehta vëllai i tij, Bledari. Të tre personat dhunues, sipas raportimeve, gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qarkulluar në zonë të armatosur dhe duke ushtruar presion e shantazh ndaj banorëve.
Bandat e Gjon Gjonajt, nga Gomsiqja deri në Fierzë, në panik nga humbja e 14 majit, kanë angazhuar arsenalin e personave me precedentë penalë, të gjithë me lidhje kriminale me Partinë Socialiste, dhe në këmbim të favoreve dhe lëshimeve u kërkojnë të frikësojnë mbështetësit e opozitës”, shkruhet në deklaratë.
Mes të tjerash koalicioni “Bashkë Fitojmë” i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për të gjithë ata që shkelin ligjin dhe OSBE-ODHIR të regjistrojë çdo rast të dhunimit të zgjedhësve, veprimtarëve politikë dhe të procesit zgjedhor. (A2 Televizion)