
Në 110-vjetorin e Gjykatës së Lartë, kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann, foli për Reformën në Drejtësi, duke theksuar se pa të nuk mund të ketë anëtarësim të Shqipërisë në BE.
“Ka qenë një rrugëtim i gjatë, por ende nuk ka përfunduar. Jemi në një moment kritik, reforma po zë rrënjë, por duhet të zërë rrënjë të thella për t’i bërë ballë çdo influence. Vetting-u vijon të ecë para, por pas mbylljes së tij dy këshillat e lartë duhet të ruajnë të njëjtën frymë. Tashmë, anëtarët e këshillave pritet të veprojnë në përputhje me aspekte shumë të qarta që kanë të bëjnë me punën e tyre. Mbajnë në duart e tyre jo vetëm të ardhmen e drejtësisë, por edhe anëtarësimin në BE. Një drejtësi më cilësore fillon me trajtimin e çështjeve të mbartura”, tha Hohmann.
“Drejtësia e vonuar minon besimin tek drejtësia. Nuk ka asnjë vendim më të mirë gjyqësor nëse nuk do të ketë trajnime më të mira gjyqësore”, shtoi kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë. (A2 Televizion)