Në pritje të caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, partitë politike janë vënë në lëvizje duke bërë llogaritjet dhe planet e fushatës. Më të përgatitura duken forcat opozitare, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që po shkojnë drejt konsolidimit të aleancës së tyre. “Jemi të interesuar që ta krijojmë paraprakisht një subjekt që mund të kthejë shpresën në Kosovë”, ka pohuar lideri i Vetëvendosjes. Prej muajsh këto dy parti kërkonin rrëzimin e qeverisë dhe mazhorancës të përbërë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Nisma, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe. Thirrjet e tyre shpesh shoqëroheshin me akuza ndaj ekzekutivit për korrupsion dhe vendime të gabuara në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit. Nisjen e bisedimeve dhe negociatave për koalicion e njoftoi dhe kreu I PDK-së, Kadri Veseli. Analistët konfirmojnë për Radio Evropa e Lirë se me shumë mundësi nuk do të ketë aleanca parazgjedhore, por edhe nëse ndodhin, ato do të përcaktohen nga qëndrimet e partive politike për çështje të rëndësishme për Kosovën, siç është dialogu me Serbinë. Aktualisht, i gjithë spektri politik ka kërkuar që presidenti Hashim Thaçi të hapë konsultimet për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Kushtetuta e Kosovës parashikon që ato të mbahen jo më afër se 30 ditë nga dorëheqja e qeverisë dhe jo më larg se 45 ditë. (A2 Televizion)
Zgjedhjet e parakohshme, partitë në Kosovë nisin përgatitjet
