
Mungesa e një investimi të madh politik në zgjedhjet e pjesshme vendore që mbahen këtë të diel në 6 bashki të vendit, po duket edhe në indiferencën që forcat politike kanë treguar me emërimin e komisionerëve.
Ilirjan Celibashi që drejton procesin zgjedhor, apeloi partitë të mos krijojnë vonesa, ndërsa paralajmëroi se nuk do të qëndrojë duarkryq.
Organizimi i zgjedhjeve të pjesshme nuk ka shkuar paprobleme. Dy ditë para hapjes së qendrave të votimit, partitë politike nuk kishin dorëzuar ende pranë KQZ emrat e komisionerëve, çka për institucionin e administrimit zgjedhor, është shqetësuese, por jo pa zgjidhje.
Në një konferencë për shtyp, Ilirjan Celibashi njoftoi për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë për dokumentet e identifikimit të skaduara apo në prag skadimi, pasi qeveria kishte pranuar kërkesën e tij.
Tashmë qytetarët e gjashtë bashkive do të mund të votojnë edhe nëse karta apo pasaporta e tyre rezulton e skaduar më 6 Mars, por thirrja e Celibashit është që kjo praktikë të mos shihet si zgjidhje permanente.
Dy nga kandidatët garues janë dërguar për verifikim të thelluar pranë njësisë së dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, verifikim i cili duket se do të shtyhet përtej datës 6 mars pasi ende nuk ka një përgjigje për kandidatin e Berishës në Lushnje, Elton Bano dhe të Bashës në Rrogozhinë, Ferdinand Saraçi. (A2 Televizion)