
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka hedhur poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani, për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër. Ky vendim u mor me shumicë votash, 3-2. Anëtarët kundër rrëzimit ishin Ledio Braho dhe Elvis Cefa.
Pas vendimit për Gjirokastrën, KAS do të mblidhet në orën 15:00 për shqyrtimin e pretendimeve për pavlefshmëri të zgjedhjeve për Qarkun Berat, ku edhe këtu PD dhe LSI kanë kërkuar shpalljen e pavlefshëm të rezultatit. Për Beratin do të jetë procedurë më e detajuar, pasi palët kanë administruar gjetjet që dolën nga hapja e kutive të materialeve zgjedhore.
Çështjet pritet të dërgohet në Kolegjin Zgjedhor nga ana e dy subjekteve politike.
Gjatë parashtrimit të pretendimeve përfundimtare të palëve, Altin Kaziaj, përfaqësuesi i LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull, për rrjedhojë edhe shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në të gjithë qarkun. Ai tha se persona të ardhur nga Greqia nuk kanë respektuar protokollin anti-Covid për t’u karantinuar, por madje kishin votuar e madje ishin edhe komisionerë të Partisë Socialiste.
Ndërsa përfaqësuesi i PD, Marash Logu, tha se ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, në bashkëpunim me Aranit Arapin dhe Ermir Gërxhanin, kishin ngritur një strukturë kriminale të blerjes së votave, përmes parave, ndihmave, por edhe kërcënimeve. Ai akuzoi edhe anëtarët e KAS për mos marrjen parasysh të provave të paraqitura për abuzimet e shumicës jo vetëm në këtë qark, por për të gjithë vendin, çka shkaktoi edhe debate me anëtarët e KAS.
Kreshnik Merxhani, kandidati i pavarur në Gjirokastër tha: “Është provua me pamje filmike që anëtarët të grupit të numërimit, në bashkëpunim edhe me anëtarë të KZAZ, kanë ndërhyrë në tjetërsimin e votës. Për këtë manipulim ka pasur një miratim në heshtje e anëtarëve të KZAZ, e vërtetuar shumë qartë nga pamjet filmike. “Kemi gati 5% të votave të shpallura të pavlefshme. Mbulimi me gisht i katrorit të kandidatit të pavarur haset në mbi 20 raste të kapur nga kamerat”, tha Merxhani.
Gjatë leximit të pretendimeve përfundimtare nga palët, nuk mori pjesë përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji. (A2 Televizion)