
Demokratët e 14 degëve firmosin sot kryetarin e ardhshëm të degës dhe fundin e kryetarokoracisë dhe presidencokracisë në PD. Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha për gazetarët pasi hodhi votën në degën 2 në kryeqytet, i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha. Sipas Berishës demokratë firmosin sot opozitën e vërtetë shqiptare.
“Firmosin me votën e tyre kryetarin e ardhshëm të degës dhe fundin e kryetarokoracisë dhe presidencokracisë në PD, firmosin vendimmarrjen me votën e lirë. Kjo është një arritje historike panjohur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë. Ky është procesi më demokratik që do të qëndrojë gjithnjë në themelet e rithemelimit të PD si një forcë e fuqishme konservatore. Këta demokratë e demokrate firmosin sot me votën e tyre opozitën e vërtetë shqiptare kusht ei të gjitha kushteve për një shoqëri të lirë dhe ky është një ogur i bardhë jo vetëm për PD por për mbarë shoqërinë shqiptare. Vetëm një opozitë e vërtetë mund të qëndrojë përballë një narkoshteti dhe një diktature e çfarëdo lloj të bazuar në drogën apo ideologjinë. Vetëm një opozitë e vërtetë ka shanset për ta ngritur PD dhe për ta shndërruar në forcë politike fitimtare. Asgjë nuk mund të pengojë PD në rrugën e saj si forcë politike e vërtetë opozitare dhe ky zhvillim dëshmon më së miri këtë”.
Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë zgjedhjet për kryetarë në 14 degë në vend.
Procesi i votimit është hapur prej orës 8.00 të mëngjesit të sotëm ndërsa do të mbyllet në orën 17.00. Në rast se në Qendrat e Votimit do të ketë ende votues, procesi do të vijojë edhe pas orës 17.00.
Komisioni i Rithemelimit ka ftuar gjithë anëtarët të bëhen pjesë e votimit, për të patur një Parti Demokratike më të bashkuar.
Zgjedhjet për kryetarët e degëve vijnë pas një riorganizimi që Komisioni i Rithemelimit ka bërë në strukturat në bazë të Partisë Demokratike, ndërsa është njoftuar se më 30 prill do të mbahet dhe Kuvendi Kombëtar i Partisë. (A2 Televizion)