Zgjedhjet në Kroaci, 11 kandidatë në garë për postin e Presidentit

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2019, 14:41 | Bota
Zgjedhjet në Kroaci, 11 kandidatë në garë për postin e

Mbahen sot zgjedhjet presidenciale në Kroaci ku garojnë 11 kandidatë. Megjithatë, sondazhet e kryera në popull nxjerrin kryesues vetëm tre prej tyre, duke nisur prej kreut aktual të shtetit, konservatores Kolinda Grabar-Kitarovic, social demokratit, dikur kryeministër, Zoran MIlanovic dhe kandidatit të pavarur të krahut të djathtë, Miroslav Skoro, dikur një këngëtar folk dhe deputet në Parlament.

“Kur fitova zgjedhjet, 5 vite më parë, zyra e Presidentit ishte një kaos total. Sot, Kroacia është më mirë, por unë nuk jam e kënaqur akoma. Besoj se mund të bëjmë më shumë”.

Kjo ishte thirrja e Presidentes aktuale Kitarovic që kërkon edhe njëherë postin që mban. Ajo ka shërbyer më parë si ministre e Jashtme e vendit, ambasadore në SHBA dhe ndihmës-sekretare e përgjithshme për diplomacinë në NATO. Kitarovic fitoi zgjedhjet Presidenciale në janar të vitit 2015 kur mundi kandidatin e majtë Ivo Josipovic.

“Pas fitores time, synim do të jetë të fitoj besimin e atyre që nuk më votuan. Shpresoj që populli të votojë për një Kroaci normale”.

Kjo ishte deklarata e socialdemokratit Zoran Milanovic në tubimin e fundit elektoral që gjithashtu e njeh jetën politike në vend pasi ka shërbyer si kryeministër i vendit në vitet 2011-2015. Qeveria e tij ra si pasojë e krizës ekonomike që përfshiu vendin.

Në garë, ndërkohë, është edhe MIroslav Skoro, një deputet i parlamentit që prej vitit 2008. Ndryshe nga dy rivalët e tij kryesor, ai kërkon ndryshimin e kushtetutës dhe përforcimin e rolit të presidentit. I bindur në fitoren e tij me mbi 50 për qind të votave, ai iu drejtua elektoratit me fjalët: “Nuk më duhet një raund i dytë se unë do të fitoj shumicën që në raundin e parë, ndaj mos të harxhojmë kot para të e popullit”. Dy fituesit me përqindjen më të madhe të votave do i drejtohen balotazhit të datës 5 janar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos