Zgjedhjet në Serbi, lufta në Ukrainë dominoi fushatën, rriten mbështetjet për Vuçiç

Nga A2 CNN
3 Prill 2022, 12:08 | Ballkani
Zgjedhjet në Serbi, lufta në Ukrainë dominoi fushatën,

Dy dekada pas përfundimit të konfliktit të përgjakshëm në Ballkan, presidenti Aleksandar Vuçiç kërkon mandatin e pestë me zotimin për paqe dhe stabilitet, ndërsa Serbia është nën trysni për të zgjedhur mes lidhjeve tradicionale me Rusinë dhe aspiratave për t’iu bashkuar BE-së. Lufta ruse në Ukrainë që nisi disa ditë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, ka pasur ndikim të thellë në fushatën elektorale në serbi ku shumica e qytetarëve mbështesin neutralitetin ushtarak.

Bojan Klacar, kreu i kompanisë se anketimeve CeSID tha se ofensiva ruse kishte nxitur një ndryshim të temave kryesore të fushatës, si lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, ekologjia etj.

“Lufta në Ukrainë ka ndryshuar tërësisht fushatën në Serbi. Pikë së pari përmbysi agjendën tematike, ndërsa shumë çështje që ishin primare para krizës në Ukrainë, nuk janë më mes prioriteteve. Aspekti tjetër se si kriza ukrainase e ndryshoi kontekstin është ndryshimi i humorit të elektoratit. Qytetarët duan tani përgjigje për shqetësime e tyre lidhur me stabilitetin ekonomik dhe politik e, standardin e jetesës”, tha ai.

Partia përparimtare serbe e Vuçiç, SNS, pritet të fitojë zgjedhjet sipas sondazheve por ka pak gjasë të ruajë shumicën dërrmuese prej 188 vendesh në parlamentin me 250 vende. Një sondazh i fundit i Faktor Plus I publikuar nga e përditshmja Blic vlerëson se SNS do të fitojë 53 përqind të mbështetjeve. Një koalicion i partive opozitare aleanca për fitoren pritet të pozicionohet e dyta me 13.7 përqind të votave ndërsa partneri i koalicionit të Vuçiç, Partia Socialiste do të renditet e treta me 10.2 përqind të elektoratit.  Edhe vetë Vuçiç pritet të fitojë mandatin e pestë si president duke lënë në vend të dytë gjeneralin  dhe ish-shefin e ushtrisë Zdravko Ponos.

Ponos akuzon rivalin se përdori luftën në Ukrainë në përpjekjen për të nxitur unitet kombëtar, mbështetur në frikën e qytetarëve nga lufta. Një ultranacionalist në vitet 90-të, kur Serbia í siguroi mbështetje logjistike dhe financiare serbëve etnikë në Bosnjë dhe Kroaci, Vuçiç u kthye në një politikan proeuropian në 2008-n.

Kritikët thonë se popullariteti i tij lidhet me stilin autokratik të sundimit që përfshin kontroll të vendosur ndaj mediave dhe përfitime të tilla si punësimi i mbështetësve në kompanitë shtetërore. Popullariteti i tij në rajon u rrit kur Serbia u bë i pari vend që siguroi vaksinat kundër koronavirusit dhe hapi kufijtë për vaksinimin turistik nga vendet fqinje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos