
Përveç borxhit publik, shteti shqiptar duhet të shlyejë edhe detyrimet e prapambetura, që kanë pësuar rritje të ndjeshme këtë vit. Janë detyrimet ndaj biznesit dhe qytetarëve që ka krijuar qeveria qendrore dhe bashkitë, një zë që nuk përfshihet në treguesin zyrtar të borxhit, por që në finale është një faturë që duhet paguar nga taksapaguesit shqiptarë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në tremujorit të parë të këtij viti, detyrimet e prapambetura arritën në 12.7 miliardë lekë, me rritje 600 milionë kundrejt fundit të vitit të kaluar. Arsyeja kryesore vlerësohen zgjedhjet vendore të 14 majit.
Po kush e ka krijuar këtë borxh?
Sipas të dhënave, 6.7 miliardë lekë janë detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe 6 miliardë të pushtetit vendor. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, është qeveria ajo që ka krijuar më shumë detyrime, më saktësisht 500 milionë lekë, kundrejt 100 milionë që kanë krijuar bashkitë. Kjo tregon edhe për një angazhim të madh të qeverisë për zgjedhjet vendore.
Por cilat janë zërat me nivelin më të lartë të detyrimeve të papaguara?
Të dhënat tregojnë se 42.6% e totalit janë tek investimet. Kjo nxitur pikërisht nga volumet më të larta të investimeve të pushtetit qendror dhe atij lokal, në prag të zgjedhjeve vendore.
Zëri i dytë ku janë krijuar detyrime të prapambetura janë vendimet gjyqësore me 27.5% të totalit, kryesisht për largimet e padrejta nga puna. Më pas vijojnë shërbimet me 6% dhe mallra dhe 2.5%. Detyrimet e kategorive të tjera, ku përfshihen mospagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, mosrimbursimi i TVSH-së, të ardhurat personale etj., përbëjnë në total 21.4%.
Siç e theksova edhe më lart, detyrimet e prapambetura janë një zë që nuk përfshihet në treguesin zyrtar të borxhit. Edhe pse fatura duhet shlyer. Por sa është aktualisht borxhi publik i vendit?
Grafikisht kemi paraqitur ecurinë e borxhit publik që prej vitit 2013, kur qeveria Rama erdhi në pushtet. Në atë periudhë, ky tregues ishte në nivelin e 65.5%. Pësoi rritje në vitet që pasuan, për shkak edhe të disa krizave të njëpasnjëshme që goditën ekonominë, ndërkohë që ka filluar konsolidimi fiskal, ose thënë ndryshe, ulja e borxhit që prej vitit 202. Në tremujorin e parë të këtij viti borxhi ka zbritur në 63.2%. Por këtij niveli, duhet t’i shtohet edhe vlera 12.7 miliardë lekë që janë detyrimet e prapambetura. (A2 Televizion)