
Në shtetet perëndimore, vaksinat e para të koronavirusit u pritën me entuziazëm e shpresë. Por, në shumicën e vendeve më të varfra si Pakistani, shpërndarja nuk ka filluar ende.
Një spital në Karaçi është plot, e nuk ka shtretër për të gjithë pacientët e Covid-19.
“Jemi plot, kemi pacientë që presin, kemi familje që vuajnë; pacientë me oksigjen në shtëpi të cilët nuk kanë vend në spital”, shprehet mjekja Nashwa Ahmad.
Mjekët e clësojnë si tepër zhgënjyese, mungesën e vaksinave.
“Vaksina nuk ka ardhur e as nuk pritet të vijë shpejt. Kjo nënkupton se punonjësit e shëndetësisë duhet të vijojnë të punojnë pa papushim pa qenë të mbrojtur nga vaksina.”
E megjithatë, ndihma duket të jetë rrugës. Programi Covax i cili synon shpërndarjen e 2 miliardë vaksinave deri në 2021, ka premtuar dozat e para në shkurt. Shumica e dozave do t'u jepen 92 shteteve më të varfra, pa para.
“Covax është krijuar për të garantuar një qasje të drejtë e të barabartë, në mënyrë që asnjë vend apo person që ka nevojë për vaksinën, të lihet pas”, shprehet Aurelia Nguyen, drejtoreshë e Covax.
Por, misioni i Covax është vështirësuar nga nxitimi i shteteve të pasura për përvetësimin e dozave në dispozicion, praktikë e denoncuar shpesh nga shefi i OBSH, Tedros Adhanom Gebrejesus. Ndërsa pret dozat e Covax-it, qeverisë pakistaneze i është premtuar edhe një dhuratë prej 500 mijë dozash nga kinezja Sinofarm, një pikë në ujë për shtetin me 200 milionë banorë. (A2 Televizion)