
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në një intervistë për Deutsche Welle, foli për pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ai u bëri thirrje zgjedhësve shqiptarë të votojnë kurse partive të pengojnë manipulimet.
“Shqipëria ka lënë pas 30 vite demokraci dhe me këtë përvojë ajo çfarë duhet të presë çdo shqiptare dhe shqiptar nuk mund të jetë asgjë më pak se zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe paqësore. Njëkohësisht dëshiroj t'i bëj thirrje çdo qytetareje dhe qytetari, të shfrytëzojë të drejtën e votës dhe të shkojë të votojë. Në demokracitë tona zgjedhjet janë një instrument qendror që na mundësojnë ne, të gjithëve, të bashkëpërcaktojmë zhvillimin e vendit tonë”, tha Zingraf.
Zingraf shtoi se, pavarësisht se konkurrenca dhe përballja politike është normale në demokrqci, “të gjithë aktorët e përfshirë duhet të jetë e qartë se retorika agresive dhe gjuha e urrejtjes nuk mund të kenë vend këtu”.
“Respekti i ndërsjellë dhe gatishmëria për dialog duhet të vlejnë edhe në kohë fushatash zgjedhore. Dhe në vend që të shpotisin dhe të flasin për njëri-tjetrin, tani do ishte një mundësi e mirë për partitë dhe kandidatët, të përqendronin debatet në programet e tyre përkatëse dhe në reformat që ata duan të propozojnë për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve”, tha Zingraf.
Ambasadori gjerman shtoi se Bashkimi Europian pret që kandidatët në zgjedhje të jenë të pastër. “Unë mendoj se është ende shumë herët të bëjmë një bilanc përfundimtar për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në lëvizje dhe autoritete të tjera për verifikimin e dokumenteve”. (A2 Televizion)