
Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të heqë vendosjen e karantinës dyjavore për shtetasit shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas kreut të shtetit, ky vendim është barbar dhe antiligjor, i bërë për përfitime politike nga partia në pushtet.
Presidenti nuk kurseu akuzat as për Komitetin Teknik duke i quajtur ata të manipuluar nga qeveria, ndërsa shkoi më tej duke thënë se këta ekspertë kanë fshehur 10 mijë vdekje nga koronavirusi.
“Të nderuar qytetarë ndalimi i votimit të emigrantëve tanë nga Greqia në zgjedhjet e 25 prillit përbën një akt të dhunshëm, barbar, diskriminues dhe antikushtetues të ndalimit të së drejtës për të zgjedhur, që duhet ta gëzojë çdo shtetas në moshën 18 vjeç. Arsyeja e ndalesës dhe i diskriminimit të mijëra bashkatdhetarëve tanë për të marrë pjesë në votime për shkak të pandemisë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd dhe një përdorim politik për qëllime elektorale nga partia shtet.
Kjo është farsa e gjoja përpjekjeve për përfshirjen e diasporës dhe emigrantëve tanë në votime, të cilëve po iu ndalohet e drejta për të ardhur në atdhe dhe për të votuar.
Kë të bësojmë ne? Komitetin politik të partisë shtet që zbaton qorrazi urdhrat e diktatorit në largim dhe që fsheh nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuar nga Covid-19, apo Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve të Amerikës, autoritet shkencor i padiskutueshëm botëror, që u shpreh se qytetarët e infektuar dhe ata të ekspozuar ndaj Covidit mund të votojnë lirshëm duke u paraqitur personalisht në qendrat e votimit. Udhëzimi u zbatua në zgjedhjet presidenciale. Së fundi, i bëj apel qeverisë, KQZ, dhe Komitetit të ekspertëve të manipuluar që të heqë menjëherë këtë ndalesë që përbën dhunim të Kushtetutës”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)