
Dy efektivë policie të komisariatit nr.5 në Kamzë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për zjarrin që i mori jetën një të ndaluarit mbrëmjen e së shtunës.
I arrestuari për dhunë në familje Arben Mici 26 vjeç humbi jetën në ambientet e paraburgimit në komisariatin e Kamzës, ndërsa Dilaver Idrizi mbeti i lënduar, si pasojë e zjarrit që dyshohet se një prej tyre e ka ndezur në dhomën ku qëndronin, gjithashtu ndihmë mjekësore mori dhe një efektiv policie.
Pas hetimeve paraprake, janë krijuar dyshime se efektivët e këtij komisariati, në kundërshtim me procedurat kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga shtetasit e arrestuar.
Në përfundim të hetimeve paraprake janë arrestuar në flagrancë, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, punonjësit e policisë:
1. Inspektor F. I., 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë;
2. Inspektor H. B., 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.
Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave dhe moskryerjen e veprimeve për parandalimin e ngjarjeve të rënda të kësaj natyre, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, janë proceduar në gjendje të lirë edhe punonjësit e policisë:
- Inspektor L. M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë;
- Inspektor M. M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë;
- Komisar Y. Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë. (A2 Televizion)