
Një ushtar rus që shkatërroi një tank Leopard të prodhuar nga gjermanët në luftën kundër Ukrainës është shpërblyer.
Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, Andrei Kravtsov ka marrë një çmim prej një milion rublash (11,842 dollarë) nga një fondacion privat.
Mbrojtja ruse publikoi një video në të cilën ushtari Kravtsov shfaqet i ulur në një shtrat spitalor duke marrë një certifikatë çmimi nga Alexander Karelin, kampion olimpik tri herë në mundjen greko-romake.
Ministria nuk specifikoi se kur dhe ku Kravtsov rrëzoi tankun apo detajet e shtrimit të tij në spital. Në video, ushtari duket se ka humbur krahun e djathtë.
Rusia thotë se forcat e saj kanë shkatërruar tanke Leopard të prodhimit gjerman dhe automjete luftarake të blinduara Bradley të prodhimit amerikan që prej se Ukraina nisi një kundërsulm, në fillim të këtij muaji.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi javën e kaluar se kishte paguar shpërblime individuale për më shumë se 10.000 ushtarë rusë që nga fillimi i pushtimit i Ukrainës për shkatërrimin ose sekuestrimin e pajisjeve ushtarake të Kievit, të cilat janë sjellë nga Perëndimi. (A2 Televizion)