
Prokurorët rumunë dërguan në gjyq personalitetin kontrovers të internetit Andrew Tate, vëllain e tij Tristan dhe dy të dyshuar të tjerë, me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore, përdhunimit dhe formimit të një bande kriminale për shfrytëzimin seksual të grave.
Vëllezërit Tate dhe dy femra të dyshuara rumune janë në arrest shtëpiak në pritje të një hetimi penal për abuzime të kryera ndaj shtatë grave, akuza që ata i kanë mohuar.
Të katërt u mbajtën në paraburgim policor nga 29 dhjetori deri më 31 mars përpara se një gjykatë e Bukureshtit t'i vendoste në arrest shtëpie.
Andrew Tate është akuzuar gjithashtu për përdhunimin e një prej viktimave, ndërsa vëllai i tij Tristan është akuzuar për nxitje të të tjerëve në dhunë.
Gjyqi nuk do të fillojë menjëherë. Sipas ligjit rumun, çështja dërgohet në dhomën paraprake të gjykatës, ku një gjyqtar ka 60 ditë kohë për të inspektuar dosjet e çështjes për të siguruar ligjshmërinë.
Vëllezërit Tate, ish-kikboksierë që kanë kombësi amerikane dhe britanike me miliona ndjekës në internet, janë të dyshuarit e profilit më të lartë që do të dërgohen në gjyq në Rumani për trafikim njerëzor.
Prokurorët kanë thënë se vëllezërit Tate rekrutuan viktimat e tyre, duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se duan një lidhje ose martesë. (A2 Televizion)