
Gazetari Lutfi Dervishi, i ftuar në studion e “Absolut 4” me Blendi Salaj, në A2 CNN, ironizoi 100 ditët e para të mandatit të tretë të qeverisë “Rama”, duke u shprehur se askush nuk merret me detaje sa i përket premtimeve.
“Në politikë ka një njësi matëse për ato që janë realizuar, por në vendin tonë kjo gjë mungon. Në këto 100 ditë kemi arritje vetëm në politikën e jashtme, me ardhjen e Merkel apo kryeministrit holandez. Kemi pasur 100-ditëshin më të mirë në këto 30 vite. Në planin e brendshëm nuk kemi asgjë, edhe për faj të medias, pasi duket sikur këto 100 ditë ka qeverisur Partia Demokratike”, tha Dervishi.
“Nuk kemi fare detaje, flasim në përgjithësi. Po të kemi edhe mandat të katërt, do të shkojmë deri aty sa të themi “E bën Zoti mirë”. Edhe në mbledhjen e fundit që ka bërë qeveria, nuk është folur për mandatin e tretë, por për të katërtin dhe të pestin”, shtoi Dervishi. (A2 Televizion)