
Më 22 qershor 2018, Real Madrid zyrtarizonte blerjen e Andriy Lunin, portier i kombëtares U-20 të Ukrainës, që një vit më vonë do të fitonte Botërorin e kësaj grupmoshe. Të mërkurën, kundër Alcoyanos në Kupën e Mbretit, ky portier mund të luajë më në fund ndeshjen e parë zyrtare me 13 herë kampionët e Evropës.
Nëse do të ndodhë, Lunin do të luajë për herë të parë me Realin 943 ditë pasi u ble nga Zorya Luhansk për 8,5 milionë euro.
Portieri ukrainas ka luajtur vetëm disa miqësore vere në vitin 2018 dhe më pas u huazua, duke qenë se për të nuk kishte hapësira, me Courtois dhe Keylor që luftonin për një vend titullari. Lunin u dha borxh te Leganes, por edhe aty nuk ishte titullar. Një vit më vonë u dha borxh te Valladolid, ku sërish nuk ishte titullar. Lunin përfundoi i huazuar te Oviedo e kategorisë së dytë, duke arritur më në fund të luajë rregullisht.
Këtë sezon, Reali e ktheu në skuadrën e parë si zëvendësin e Courtois dhe më në fund, portieri ukrainas mund të debutojë me “Los Blancos” pothuajse 1000 ditë nga dita që u ble. (A2 Televizion)